Loja me fanella, tifozët e Realit nuk i falin më asgjë Vinicius

Vinicius Junior ka shkaktuar polemika për një zëvendësim, këtë herë jo para Bernabeut si gjatë El Clásico, por para 57 milionë ndjekësve të tij në Instagram.
I zemëruar nga fishkëllima që dëgjoi kur po largohej nga loja, braziliani ndryshoi foton e profilit të tij menjëherë pas ndeshjes Real Madrid – Sevilla 2:0, shkruan Marca.
Vetëm dhjetë minuta pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, ende në dhomën e zhveshjes, ai hoqi foton e tij duke mbajtur fanellën e Realit dhe e zëvendësoi atë me një foto nga ndeshja me fanellën e ekipit kombëtar brazilian.
Lojtari i Real Madridit u largua nga fusha në minutën e 83-të për shkak të fishkëllimave, por edhe disa duartrokitjeve nga disa tifozë, të cilat treguan qartë përçarjen midis audiencës, transmeton KosovaPress.
Lëvizja e tij e shpejtë në rrjetet sociale i përshkallëzoi më tej tensionet në marrëdhënien e tij me tifozët. Përveç kësaj, ai postoi dy foto nga ndeshja kundër Sevilla të shoqëruara me tri pika.
Është interesante se ai e ndryshoi foton e profilit të tij aq shpejt sa në historitë e tij në Instagram, kur ndau ato foto, fotografia e vjetër me fanellën e Realit ishte ende e dukshme.
Heqja e një fotoje të tij duke veshur një fanellë të Real Madridit nga rrjetet e tij sociale është një tjetër kapitull në këtë “luftë të ftohtë” midis brazilianit dhe tifozëve që nuk i falin më asgjë. Ndërkohë, kontrata e tij e re me Realin Madridi është ende në pritje.
